Piczo

Log in!
Stay Signed In
Do you want to access your site more quickly on this computer? Check this box, and your username and password will be remembered for two weeks. Click logout to turn this off.

Stay Safe
Do not check this box if you are using a public computer. You don't want anyone seeing your personal info or messing with your site.
Ok, I got it
Tema arsimore
Mësimdhënësit në funksion të zhvillimit njerëzor dhe të kapitalit social

“Edukatori për të edukuar, vetë duhet të jetë i edukuar”

Mësimdhënësit kanë qenë, janë dhe do të jenë shtylla e progresit, emancipimit, formimit të kombit dhe krijimit të shteteve të zhvilluara dhe humane. Në anën tjetër institucionet arsimore, çerdhet, kopshtet, shkollat fillore dhe të mesme, fakultetet, kolegjet dhe të gjitha organet, organizatat e një vendi duhet të jenë doemos “farkëtari ku njeriu vërtet duhet të bëhet njeri”. Shteti që mëton të jetë shtet i vërtetë, në të cilën do të sundon ligji i të drejtës, ku njerëzit do të ndjehen të lumtur dhe të vlefshëm, pavarësisht se si duken, sa të mençur janë, cilën gjuhë e flasin dhe cilit besim apo gjini i takojnë, moshës që kanë duhet të sigurojë një sistem arsimi i cili do të jetë në funksion të zhvillimit maksimal njerëzor dhe të kapitalit maksimal social. Zhvillimi njerëzor dhe i kapitalit social, në masën më të madhe varen nga efikasiteti dhe efektiviteti i sistemit të arsimit. Në anën tjetër përcaktuesit më vendimtar për efektivitetin dhe efikasitetin e arsimit, sipas të gjitha studimeve (ama bash sipas të gjitha studimeve) meta-analitike, në fushën e pedeutologjisë (teori shkencore që merret me studimin e mësuesve) kanë konstatuar së një ndër faktorët më përcaktues për efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të arsimit janë mësuesit, mësimdhënësit, edukatorët. Andaj, nuk është për t’u befasuar se, qysh në kohërat më të lashta, mësuesi është konsideruar shtylla e kombit.
Mësimdhënia, si një proces i organizuar njerëzor, është edhe art edhe shkencë. Nëse mësimdhënia nuk është e tillë, ajo nuk do të ndikojë në zhvillimin maksimal njerëzor. Me zhvillim njerëzor nënkuptohet zhvillimi maksimal i potencialeve, aftësive dhe dispozitave të individëve që lidhen me punën, ekonominë, prodhimin (për këtë arsye edukimi dhe arsimimi jo vetëm që konsiderohen , por faktikisht edhe janë, kategoria më propulzive ekonomike); ndërsa me kapital social nënkuptohen proceset që lidhen me krijimin e rrjetave shoqërore, kodeve etike, normave dhe të vlerave humane ndërmjet individit dhe të shoqërisë. Për të realizuar një mësimdhënie të këtillë komplekse në personalitetin e një mësimdhënësit, duhet fuqishëm të gërshetohen edhe aftësitë profesionale (njohja brilante e lëndës, fushës që e zhvillon); por edhe aftësitë maksimale të mjeshtërisë së zejes së mësimdhënies. Me një fjalë, në zhvillimin dhe formimin e mësimdhënësve duhet të punojmë ashtu, që në personalitetin e mësimdhënësit, të zhvillohen: ana logotrope (logotropi është njohës i shkëlqyeshëm i shkencës që e zhvillon) dhe ana pedotrope (njohje dhe zbatim brilant metodologjive avancuese të mësimdhënies), në mënyrë që përpunimi psikologjik, shkencor dhe didaktik i mësimit, të jetë i tillë, që nxënësit gjatë gjithë kohës sa zhvillohet mësimi të përjetojnë rezonanca intelektuale, ose “aha përjetime” (siç do thoshte psikologu A. Laj). Vetëm nëse, në mësimdhënësin janë mishëruar të dy këtë aspekte, edhe ajo pedotrope edhe ajo logotrope, mësimdhënësi ka “locus të brendshëm” (stabilitet, aftësi, besim, kreacion, qëndrueshmëri) që mund të ndikojë në zhvillimin maksimal njerëzor dhe të kapitalit social.

Qendra për Arsim e Kosovës, deri më tani, më pak ka qenë e angazhuar në zhvillimin e aspektit logotrop të mësimdhënësve. Në vijat perspektive zhvillimore, KEC, do të përqendrohet edhe në këtë komponentë, sepse në këtë mënyrë mësimdhënësit e Kosovës do ta kryejnë funksionin e vetë të plotë të edukatorit.

(nga letra informative në KEC)

E shkroi: Halim Hyseni
—————————-

Megjithatë, Kosova po lëvizë përpara!

“Kujdesi për jetën njerëzore, lumturinë, dhe mos shkatërrimin tyre, është i pari dhe vetmi qëllim i qeverisjes së mirë” Th. Jefferson, 1743 -1826, Presidenti i tretë i SHBA-ve

Kosova është në një udhëkryq të madh historik. Puna që bëjmë sot, përcakton të ardhmen e gjeneratave që vijnë më pas. Sot krijohet themeli mbi të cilën duhet të ndërtohet jeta, begatia, mirëqenia, dhe lumturia e fëmijëve tanë. Për të ndërtuar këtë themel të fortë dhe të qëndrueshëm, nevojitet një qeverisje e mirë dhe efikase, një vend ku sundon ligji dhe shteti ligjor, ku drejtësia dhe barazia janë të pa cenueshme, ku “…asnjeri nuk është mbi ligjin edhe asnjeri nën te”, siç thoshte T. Ruzvelt, ku respektohen të drejtat e fëmijës dhe ku secili fëmijë i Kosovës ka mundësi të zhvillohet deri te kufijtë e skajshëm të tij, deri aty ku Zoti ka thënë se mund të zhvillohet.
Nga kjo që u tha është plotësisht e qartë se kjo nuk është lehtë. Është një sfidë të cilën duhet ta sfidojmë, nëse mëtojmë të largohem nga cepi i humnerës nëpër të cilin jemi duke ecur. Në kohën globale dhe postmoderne është jashtëzakonisht vështirë që me një strategji racionale të programohet dhe të bëhet një ndryshim i tillë. Duhet gjetur një balancë ndërmjet asaj që aspirojmë ta bëjmë dhe realizojmë dhe të asaj që në kushtet dhe rrethanat që tani ekzistojnë mund dhe duhet ta bëjmë. Kur e themi këtë duhet të kuptojmë se në ndërlidhjet globale, pavarësisht nga vullneti që kemi, dëshira e madhe që të bëjmë diçka të mirë dhe të madhe, nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, sepse kjo do të varet nga faktorët tjerë jashtë mjedisit – vendit tonë. Dëshirë e jona e flakët që të parandalojmë dhunën, trafikimin e qenieve njerëzore me theks të veçantë të fëmijëve, luftimin e ksenofobisë, nacionalizmit ekstrem, etnocentrizmit, racizmit, homicidit etj. varet se sa këto dukuri luftohen në vendet fqinje dhe në botën globale në përgjithësi. Zgjidhja e problemeve të këtilla kërkon plotësimin e dy kushteve elementare:



    * Të mendojmë globalisht - të shikojmë nga perspektiva e zogut, dhe të veprojmë lokalist, si dhe
    * Të bashkëpunojmë, të krijojmë aleanca , konsorciume të fuqishme të të nxënit dhe të veprimit, ura dhe rrjete të fuqishme sociale për të parandaluar rrezikun e përgjithshëm që na kanoset.

Në këtë ecje, në muajt e fundit ka lëvizje premtuese, të cilat synojnë një qasje të re, proaktive, parandaluese. Në nivel të Kosovës është duke u hartuar një Plan Nacional për Zhvillimin e Kosovës. Paralelisht me këtë plan po punohet në hartimin e Planit Nacional për të Drejtat e Njeriut. MASHT në mënyrë intensive dhe me një qasje shume serioze, është duke punuar në hartimin e Strategjisë për arsimin para-universitar për periudhën 2007– 2017. Gjatë muajit nëntor lidhur me këtë Strategji u mbajt një Konferencë Ndërkombëtare shumë e suksesshme.
Këto ditë është hartuar edhe një Draft i Strategjisë Nacionale për avancimin e përshpejtuar të të drejtave të fëmijës. Më 1 dhe 2 dhjetor në Prishtinë do të mbahet Konferencë rajonale lidhur me këtë Strategji. Të gjitha këto dokumente komplementare dhe tregojnë se Kosova po lëvizë përpara.
Nëntor 2006
Shkroi: Halim Hyseni
———————————————————

Arsimi në funksion të zhvillimit të shoqërisë së fortë qytetare

“Aftësia e një populli dhe e njerëzve në përgjithësi, që të nxënë, dhe atë që e kanë mësuar sa më parë ta zbatojnë në jetën praktike, si dhe që dijen ta shndërrojnë në aktivitete është çështje kruciale për zhvillimin e ekonomisë globale e cila gjithnjë e më shumë bazohet në dije dhe informacion”

James Wolfennson

Qendra për Arsim e Kosovës, në shumë aspekte është duke kontribuar që Sistemi i Arsimit të Kosovës të transformohet në një instrument të fuqishëm të zhvillimit të një shoqërie të fortë qytetare, sepse shoqëria e fortë qytetare është çelës i demokracisë së vërtetë.
Nga studimet e bëra nga kjo qendër, si dhe studimet tjera meta-analitike në botë, po dëshmohet gjithnjë e më shumë një lidhje e fuqishme korelative ndërmjet efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit të arsimin në përgjithësi dhe të atij primar dhe sekundar në veçanti, me zhvillimin e ekonomisë globale.
Qendra për Arsim e Kosovës angazhohet që secili qytetarë i Kosovës të jetë si një “tip i pronës” së kapitalit njerëzor (që ka dije, aftësi dhe shkathtësi, të cilat ai i zbaton në praktikë, zbatimi i të cilave sjell ndryshime të fuqishme në ekonomi, kulturë, shëndetësi, sport, shkencë, teknologji etj).
Qytetari si ”pronar” i kapitalit njerëzor e rritë produktivitetin e punës dhe bënë që fati i asnjë qytetari të mos përcaktohet nga: vendi ku ka lindur, mosha që e ka, besimi apo feja të cilës i takon, gjuha që e flet, bashkësia apo raca të cilës i përket.
Qendra për Arsim e Kosovës, po ashtu angazhohet dhe bënë përpjekje të kontribuon që secili qytetarë i Kosovës të jetë edhe “pronar “ i kapitalit social. Kjo do të thotë se qytetaret e Kosovës do të jenë të aftë të lidhen në rrjete dhe partneritete të fuqishme njerëzore në të cilat respektohen vlerat, normat njerëzore, etika profesionale, ku secili qytetar i ka karakteristikat më të mira deontotologjike (deontologjia është teoria mbi punën dhe detyrat e punës në profesionet dhe fushat e caktuara të jetës së njerëzore).
Për të bërë qytetarët “pronarë” të kapitalit njerëzor dhe social, Kosovës i duhet të krijojë, një arsim cilësor për të gjithë, pavarësisht nga prejardhja etnike, racore, fetare, gjuhësore etj. Përmes hartimit dhe koordinimit të punës në hartimin e strategjive zhvillimore për arsimin para-universitar, arsimin e lartë, integrimin të komunitetit RAE përmes komponentit të edukimit, strategjisë nacionale për avancimin e përshpejtuar të të drejtave të fëmijës. Qendra për Arsim e Kosovës është duke promovuar në praktikë Arsimin cilësor për të gjithë.
Nëpërmjet trajnimit të mësimdhënësve të edukimit parashkollor, fillor, të mesëm të ulët, të mesëm të lartë për metodologji të mësimdhënies, të drejtat e njeriut dhe të fëmijës, edukimit për luftimin korrupsionit, edukimit ndër dhe multikulturor, për qeverisje dhe udhëheqje, jemi duke kontribuar që të ndodhë një ndryshim thelbësor në mendësinë e njerëzve për rolin dhe rëndësinë që ka arsimimi për zhvillimin e Kosovës dhe të integrimit të saj në vendet e zhvilluara dhe demokratike.
Dhjetor 2006

Shkroi: Halim Hyseni
———————————————
Qeverisja dhe udhëheqja, Thembër e Akilit në arsimin e Kosovës

“Kujdesi për jetën njerëzore, lumturinë, dhe mos shkatërrimin e tyre, është i pari dhe i vetmi qëllim i qeverisjes së mirë”- Th. Jefferson

Qendra për Arsim e Kosovës, në studimin e faktorëve që përcaktojnë efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të arsimit dhe ndikimit të tij në zhvillimin njerëzor dhe në kapitalin njerëzor dhe social, ka konstatuar se, një ndër pikat më neuralgjike dhe më të ndjeshme në arsimin e Kosovës janë qeverisja dhe udhëheqja. Këto dy pika janë, Thembra e Akilit, të sistemit të arsimit të Kosovës. Analizat dhe studimet tona, qofshin ato empirike apo metaanalitike, jo vetëm që i kanë vërtetuar katërçipërisht përfundimet dhe konstatimet metaanalitike botërore, se nuk ka dhe nuk mund të ketë, lidhje pozitive korelative ndërmjet lidershipit (udhëheqjes së dobët) të shkollës dhe të shkollës efikase dhe efektive, por këto përfundime dhe konstatime KEC i ka i ngre në nivelin e një aksiome pedagogjike-një të vërtete që nuk duhet vërtetuar, por, që patjetër duhet punuar në jetësimin saj. Me një fjalë, nuk ka dhe as që mund të ketë shkollë efikase dhe efektive me drejtor të dobët, të pa përgatitur për qeverisje dhe udhëheqje. Në politikat zhvillimore, në veprimet praktike, rizgjedhja e drejtorëve dhe të udhëheqësve arsimor, sipas studimeve tona, nuk bëhet me kujdesin e duhur, andaj, në shkollat, në të gjitha nivelet, krijohen situata dhe klimë jo e favorshme për punë efikase dhe efektive e cila më pas ka implikime të mëdha negative dhe afatgjata (në Japoni, arsimi thuhet se është fryt qindvjeçar) në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë kosovare.
Për të ngritur efikasitetin dhe efektivitetin e arsimit në periudhën më të shkurtë të mundshme, deri sa të përcaktohen ndryshime rrënjësore në politikat zhvillimore për këtë fushë, është imperative të zbatohet me konsekuencë dhe pa ekuivoke Ligji për Arsimin fillor dhe të mesëm. Duhet të depolitizohen emërimet e drejtorëve, duhet të hartohet një plan veprimi për aftësimin drejtorëve dhe të udhëheqësve të tjerë arsimor, panelet intervistuese të bëhen nga njerëzit e dëshmuar për qeverisje dhe udhëheqje dhe të aftësuar për këtë punë. Për lirimin e potencialeve kreative të udhëheqësve duhet forcuar rolin e Këshillave të shkollës, duhet rikthyer kompetencat drejtorëve të shkollave në përzgjedhjen e kuadrit, duhet aftësuar udhëheqësit e të gjitha niveleve për hartimin planeve strategjike zhvillimore. Organet qendrore në nivele më të larta, me decentralizimin e sistemit të përzgjedhjes së drejtorëve duhet intensifikuar monitorimin dhe vlerësimin e punës së drejtorëve me qëllim të ngritjes së përgjegjësisë dhe të llogaridhënies.
KEC, duke e ditur rolin e Qeverisjes dhe të udhëheqjes, dhe duke e ditur faktin se drejtorët e shkollave nuk janë menaxher, por udhëheqës, ka bërë aftësimin e mbi 30 trajnerëve për Qeverisje dhe udhëheqje, që do të mund të shfrytëzoheshin për organizimin e trajnimeve për aftësim të udhëheqësve ekzistues të shkollave, për të qeverisur dhe udhëhequr me sukses institucionet arsimore.
Janar 2007

Shkroi: Halim Hyseni
—————————————–
Të krijojmë një shoqëri miqësore për fëmijë

“Në qoftë se do të mblidhnim lotët e fëmijëve në të gjithë botën, do të krijohej një liqen i madh, nga i cili do të prodhohej energji, por çmimi i saj do të ishte shumë i lartë” Xhani Rodari

Shoqëria kosovare, si shoqëri që është në zhvillim e sipër duhet ti kushtoj rëndësi të madhe respektimit të të drejtave të njeriut/fëmijës. Kjo mund të arrihet përmes edukimit. Në këtë aspekt, për shkak të zhvillimit individual dhe të përgjithshëm, të gjithë fëmijët duhet ta mësojnë dhe kuptojnë konceptin e të drejtave të njeriut, të dinë se cilat të drejta iu takojnë dhe të bëhen të vetëdijshëm për veten dhe shoqërinë. Të drejtat elementare të njeriut-respekti ndaj jetës së çdo individi dhe dinjiteti njerëzor-nuk mund të blihen, të fitohen ose të trashëgohen. Ato janë të patjetërsueshme, për çdo qenie njerëzore, pa dallim race, ngjyre, seksi, gjuhe, religjioni, përcaktimi politik apo ndonjë përcaktim tjetër, origjinë nacionale apo shoqërore, pasuri, prejardhje ose ndonjë status tjetër. Ndërtimi i kulturës së të drejtave të njeriut/fëmijës, kërkon nga njerëzit që ti njohin të drejtat dhe detyrat e veta e po ashtu të dinë si ti mbrojnë ato.
Shkolla paraqet mjedisin më të përshtatshëm, ku mund të fillojë formimi i vetëdijes për të drejtat e fëmijëve dhe krijimi i kushteve për zbatimin e tyre të përditshëm. Secili ka të drejtë të arsimohet. Arsimimi është i orientuar drejt zhvillimit të plotë të individit dhe forcimit të respektimit të të drejtave të njeriut/fëmijës dhe lirive elementare.
Mësimdhënësi çdo moment duhet të jetë i vetëdijshëm për të drejtat e fëmijës dhe ti respektojë ato në kontekst të sjelljes dhe veprimit të tij të përgjithshëm, e jo vetëm si pjesë e mësimit që zhvillohet ose si pjesë e përmbajtjes që duhet të përvetësohet.
Në përvetësimin e lëndës për të drejtat e fëmijës, nuk ka përgjigje të gabuar apo të saktë. Çdo mendim dhe ide është e mirëseardhur dhe duhet doemos ti kushtohet kujdes. Çdo lëndë përjetohet dhe praktikohet. Nuk duhet të mësohet përmendësh dhe as nuk duhet që nxënësit të vlerësohen. Çdo fëmije duhet ti lihet hapësirë dhe kohë e nevojshme që të mund të shpreh mendimin e vet dhe të marrë pjesë aktive me qëndrimet dhe me pikëpamjet e veta. Qëllimi kryesor i programit “Edukimi për të drejtat e njeriut/fëmijës”, është, që fëmijët të kuptojnë se ajo që iu nevojitet dhe atë që e duan, janë të drejtat e tyre dhe për këto vlen të angazhohet, pasi që të drejtat duhet të kërkohen dhe mbrohen prej tyre. Me gjithë avancimet dhe përparimet e bëra në fushën e të drejtave të fëmijës në Kosovë, mbetet ende shumë për të bërë. Nxënësit në Kosovë nuk kanë një edukim cilësor që mundëson zhvillimin maksimal të tyre, fizik dhe shpirtëror.
Dhuna mbi fëmijë, është ende në masë të pa tolerueshme. Partneriteti ndërmjet Institucioneve që merren me edukimin e të drejtave të fëmijës, nuk është në nivelin e duhur. Andaj, Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), përmes shumë projekteve të cilat ndërlidhen në mënyrë funksionale me të drejtat e fëmijës, është duke u angazhuar për krijim të një fryme të re në Kosovë, duke kontribuar në formimin e një shoqërie mike për fëmij në të cilën fëmijët do të jenë në qendër.
Te drejtat e njeriut/fëmijës u takojnë të gjithëve.
Shkurt 2007

Shkroi: Ardita Kabashi-Hima
———————————————–
Barazia gjinore në tekstet shkollore

“Meshkujt dhe femrat janë si dy krahët e një zogu. Sikur një zog që nuk mund të fluturojë me një krah, ashtu edhe shoqëria nuk mund të zhvillohet, nëse meshkujt dhe femrat nuk zhvillohen në mënyrë të barabartë1”

Pabarazia gjinore është një pengesë mjaft e madhe në zhvillimin dinamik dhe të përshpejtuar të shoqërisë kosovare. Integrimi i Kosovës në familjen e shteteve të zhvilluar dhe demokratike është plotësisht i parealizueshëm me gjendjen dhe pozitën e tashme tëgruas.

Në kohët e fundit, fal angazhimeve të mëdha të shoqërisë civile, të një kornize më të avancuar ligjore për mbrojtjen e gruas nga dhuna dhe format e ndryshme të diskriminimit, ka një arritje të shënuar në sensibilizimin e opinionit për barazinë gjinore. Në këtë sensibilizim, rol me rëndësi kanë loz dhe po lozin mjetet e informimit publik. Disa organizata joqeveritare të grave, me hulumtimet e veta, kanë zbardhur aspekte të ndryshme të pabarazisë së femrave në shoqërinë kosovare. Në këto hulumtime janë identifikuar edhe faktorët e shumtë që kanë pas dhe kanë implikime të fuqishme në pabarazinë praktike dhe

jetësore të gruas Kosovare.

Para pak kohe, Qendra Kosovare për Studime Gjinore doli me një studim shumë serioz, në të cilën zbardhet çështja gjinore nga këndi i sistemit të tanishëm të arsimit. Ajo që është më rëndësi të konstatohet dhe të bëhet plotësisht e qartë është se barazia

gjinore asnjëherë nuk mund të arrihet me vendime administrative, me imponime e as me legjislaturë sa do e mirë që është.

Kjo mund të bëhet vetëm e vetëm përmes një sistemi të arsimit efikas dhe efektiv për të gjithë, pra edhe femrës. Duke u nisur nga ky konstatim, studimi i bërë nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore është shumë domethënës. Këto studime, të përforcuara edhe me shumë studime të tjera të zhvilluar në botë, tregojnë për rolin dominues të mashkullit në sistemin e arsimit. Ndër shtetet në të cilat janë bërë këto hulumtime veçojmë: SHBA, Shqipërinë, Indinë, Kroacinë, Malin e Zi, Serbinë. Këto studime tregojnë edhe një aspect tjetër të pabarazisë gjinore. Ky aspekt, është se pabarazia e femrës me mashkullin, nuk është specifikë e veçantë e një vendi, por është një problem global. Megjithatë duhet konstatuar se vendet që më së miri e kanë zgjedhë barazinë gjinore janë vendet më të zhvilluar në botë, sepse shoqëria ecën përpara me të dy krahët. Në të gjitha këto vende, pabarazia gjinore mëtohet të evitohet nëpërmjet arsimit cilësor për të gjithë, pra edhe të gruas, duke i luftuar paragjykimet dhe stereotipat gjinor në kurrikula lëndor, në libra të leximit dhe në tekstet shkollor në përgjithësi.

Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), duke e ditur këtë, se bashku me rrjetin grave të vendeve të rajonit “Women Action”, ka përfunduar një studim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për barazinë gjinore në këto vende duke analizuar ndjeshmërinë gjinore të librave të leximit në arsimin e detyruar. Në këtë studim kemi konstatuar se librat e leximit nuk kanë ndjeshmëri të mjaftuar për barazinë gjinore, se në shumë elemente gjinia femërore është e diskriminuar dhe e pabarabartë, se sistemi i roleve familjare, i roleve profesionale dhe vlerave është ndërtuar mbi sistemin e stereotipave dhe të paragjykimeve. Kjo imponon nevojën për ndryshime të shumta në kurrikula dhe në tekste.
Mars 2007

Shkroi: Halim Hyseni
—————————————–

Komunikimi me adoleshentë

“E ardhmja u takon atyre të cilët besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre” Eleanor Roosevelt

Vërtetë jeta është si një ëndërr. Bukuria e saj është ardhmëria. Bukuria e saj është fëmija. Jeta e fëmijës është e koncentruar në familje dhe në rrethin e njerëzve me të cilët ata jetojnë. Zhvillimi i fëmijës varet nga kujdesi dhe vëmendja të cilën e marrin ata nga njerëzit në familje. Fëmija zhvillohet fizikisht dhe emocionalisht duke shikuar veprimet e të tjerëve dhe duke marrë pjesë në jetën shtëpiake. Në rritje e sipër fillon të kuptojë gjuhën dhe kështu, edhe krijon aftësi për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e veta.

Duke u rritur, fëmijët fillojnë të bëjnë rrjetin e lidhjeve me njerëz të moshave të ndryshme. Pra, përveç me familjen e ngushtë, ata mësojnë të komunikojnë me njerëz të ndryshëm. Ata kanë nevojë për lidhje të tilla, sepse në atë mënyrë zhvillohen emocionalisht dhe intelektualisht.

Adoleshentët janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë. Një shqetësim i madh për ta është edhe nevoja e tyre për jetë private dhe mundësia për të zhvilluar pavarësinë.

Shpesh të rriturit bëjnë gabime duke menduar se fëmijët e kësaj moshe janë tepër të rinj për të vërejtur se çka ngjan ndërmjet tyre, apo për të komunikuar mendimet dhe ndjenjat e tyre.

Shumë të rritur supozojnë se adoleshentët nuk janë të vetëdijshëm për shqetësimet e njerëzve tjerë, e as të prekur nga rreziqet apo përvojat e hidhura, prandaj edhe nuk iu sqarojnë gjëra. Shumë adoleshentë janë të lënë anash pa asnjë shpjegim lidhur me atë pse ekzistojnë errësira dhe dhuna!!!

Ne nga fëmijët në rritje e sipër, presim që të formohen me aftësitë e tyre, për të komunikuar, për të zgjedhur problemet, për të marrë përgjegjësinë, për të kryer obligimet shkollore etj. Por, për disa adoleshentë ky zhvillim shpesh është i ndërprerë. Nëse adoleshentët nuk kanë ndihmë dhe përkrahje, ata mund të shkojnë prapa në arritjet e tyre. Mund të kenë mungesë të përvojave normale sociale dhe mësimore. Mund të kenë vështirësi në mësimnxënie dhe në shoqëri. Andaj, për të gjithë fëmijët-adoleshentë është esenciale prezenca e së paku një personi familjar i cili i siguron kujdes të përhershëm për të. Kjo është më se e rëndësishme për të gjithë adoleshentët të cilët kanë vështirësi të mëdha të besojnë dhe të komunikojnë me secilin njeri me të cilin ata shoqërohen dhe jetojnë.

Të rriturit duhet të ndryshojnë sjelljen kur bisedojnë me adoleshentë në mënyrë që të t’iu ndihmojnë atyre që të relaksohen, e jo të bisedojnë me ta në atë mënyrën që e vështirëson komunikimin; duke përdorë mënyra autoritative apo të ashpra. Të rriturit duhet të përdorin ton të veçantë të zërit, të butë, të qetë apo ton melodik, sepse kjo tregon se i rrituri është i afërt me fëmijën dhe ndihmon atë të ndjehet i sigurt.

Pra, pak më tepër dashuri, përkrahje, ledhatim dhe mirëkuptim, e bëjmë të lumtur secilin fëmijë.
Prill 2007
Shkroi: Ardita Kabashi-Hima
————————————-
Llojet e komunikimit me adoleshentë

“Nëse ke dituri, lejo të tjerët të ndezin qirinj në ty”

Margaret Fuller

Komunikimi dhe llojet e komunikimit janë qirinj që ndizen në lumturinë e përbashkët të adoleshentëve.

Të rriturit shpesh u flasin adoleshentëve duke mos menduar nëse ata kuptojnë atë çka u thuhet. Andaj, të provojmë të bëhemi të ditur në mënyrën se si fëmijët/adoleshentët do ta kenë më lehtë t’i ndezin ata qirinj dhe të përfitojnë dituri.

Shumë komunikime bëhen pa biseduar fare. Shprehja e fytyrës së personit, lëvizjet, toni i zërit - të gjitha janë këto komunikime, kuptimi i të cilave varet nga kultura e tyre e caktuar. Ky lloj komunikimi është komunikim joverbal dhe është më se e rëndësishme të dihet nëse fëmija apo adoleshenti ndihet më mirë në këtë mënyrë.

Nëse dukemi të mërrolur, të brengosur apo të mërzitur derisa fëmija na flet, atëherë, ata ndalen së foluri. Inkurajimi i zhurmës, mimikës dhe të qeshurit tregon interesimin e të rriturve për atë se çfarë dëgjojnë nga fëmijët.

Shakatë, mahitë dhe buzëqeshjet mund të ndihmojnë fëmijën të relaksohet dhe të fillojë besimin. Kulturat ndryshojnë për nga ajo se si pritet nga adoleshentet të sillen në prezencën e të rriturve. Adoleshentët duhet të zgjedhin mënyrën se si dëshirojnë të komunikojnë me një të rritur, përndryshe komunikimi do të dështojë.

Po ashtu, me rëndësi të veçantë është edhe mënyra se si iu parashtrojmë pyetjet adoleshentëve duke u munduar që të parashtrojmë vetëm një pyetje në të njëjtën kohë.

Nuk do të thotë që bisedën me adoleshentë ta zhvillojë vetëm prindi apo kujdestari i fëmijës. Në rastet e tilla duhet të krijojmë atmosferë të këndshme në mënyrë që ata ta ndiejnë veten të sigurte dhe të fitojnë besimin te personi me të cilin do të flasin, sepse, ka raste kur adoleshenti kërkon që biseda të jetë konfidenciale. Andaj, për të fituar besimin, të rriturit duhet të tregojnë interesim të ngrohtë dhe të sinqertë lidhur me jetën, shpresat dhe vështirësitë e një fëmije/adoleshenti.

Durimi që duhet pasur të rriturit gjatë komunikimit me adoleshentë, është një nga kualitetet më të rëndësishme. Sjellja të cilën e tregojnë të rriturit në jetën e përditshme dhe marrëdhënia e tyre me adoleshentët është elementi kyç që ndihmon në krijimin e atmosferës së qetë dhe relaksuese për komunikim.

Pra, komunikimi është proces i dyanshëm. Duhet ti kushtohet vëmendje personit me të cilin flasim. Të bëhemi dëgjues të mirë. Të jemi të vetëdijshëm për komunikimin të cilin e bëjmë. Të përdorim gjuhë të thjeshtë. Të përdorim pyetje të hapura dhe të sigurohemi se jemi të kuptuar.
Maj 2007
Shkroi: Ardita Kabashi-Hima
________________________________



Ndihmë mësuesve për njohjen e psikologjisë së nxënësve

Mendime mbi librin me të njëjtin titull

Shkolla e mesme e përgjithshme jo publike “Iliria”, ka krijuar tashmë përvojën dhe fizionominë e saj. Kjo lidhet jo vetëm me programet e tekstet që zbatohen aty, nivelin shkencor e metodik të mësimdhënies, stafin e kualifikuar dhe me përvojë, por mbi të gjitha, kjo ka të bëjë me disa elementë të veçantë, që rrallë i gjen nëpër shkollat tona. Nisur nga nevoja e njohjes së psikologjisë së nxënësve, është kryer një studim 2 vjeçar (2005-2007) nga mësueset e kësaj shkolle, Lura Turhani e Aurela Basha, nën kujdesin dhe konsulencën e vazhdueshme shkencore të drejtorit didaktik dhe psikologjik të kësaj shkolle, Dr. I Shkencave Pedagogjike, z.Reshit Koburja. ”Ndihmës mësueve për njohjen e psikologjisë së nxënësve” është një broshurë që pasqyron përfundimet e studimit në linjën e psikologjisë shkollore, me nxënësit e klasës së I, II, III të kësaj shkollës. Kjo broshurë pasqyron më së miri klimën e bashkëpunimi mes nxënësve, mësuesve e prindërve, për t’i njohur, kuptuar e korrigjuar nxënësit – individ. Ajo është një udhëzues tepër praktik, që ndihmon mësuesin në punën e tij me nxënësit, qytetarë të ardhshëm. Në regjistra, dëftesa e në amza shkollore lexojmë formulime të tilla si:





    *

      Nxënës me përparim të mirë



    *

      Ka vijuar rregullisht shkollën



    *
      Ka sjellje shembullore



    *

      Nxënës i urtë, i sjellshëm



    *

      Duhet të punojë më shumë



Këto formulime nuk pasqyrojnë aq sa duhet psikologjinë e nxënësit, ato janë thjesht perifrazime të treguesve të dëftesës. Kësisoj, mund të thuhet se nga të tilla formulime karakteristikash, si nxënësi vetë, ashtu edhe prindërit, nuk mësojnë shumë për psikologjinë e individit – nxënës, nuk mësojnë se çfarë të vlerësojnë e çfarë të korrigjojnë. Në këtë aspekt, nga dy autoret e kësaj brishure, është menduar drejt se në këtë pamje ka nevojë për përmirësime të dukshme, në kulturën psikologjike të mësuesit. Ai duhet të njohë motivimin e nxënësit për të mësuar, përshtatjen e tij me kërkesat shkollore, administrimin e kohës nga nxënësi, konfliktin si dukuri negative e pozitive etj. Në broshurë jepen koncepte psikologjike, tipet e nxënësve, modele vlerësimesh psikologjike individuale, teknika për njohjen e psikologjisë së
nxënësit dhe më pas një fjalorth psikologjik, ku shpjegohen qartë, në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme si për nxënësit, ashtu dhe për mësuesit dhe prindërit, terma të tillë,si : konflikti, motivi, debati, komunikimi, neglizhenca, vullneti, etj. Në procesin e të nxënit, nxënësit janë të tipeve të ndryshme:



    * Nxënës konkurrues.

Janë të motivuar që të paraqiten më mirë se nxënësit e tjerë.
Duan të fitojnë me të mësuar, janë të orientuar drejt detyrës.
Kërkojnë të fitojnë më shumë sesa jepet nga mësuesit dhe teksti.
Janë të paduruar.
Urrejnë vonesat.
Administrojnë mire kohën.

    *
      Nxënës i pavarur.



Parapëlqejnë të punojnë në mënyrë të pavarur.
Kanë besim në aftësitë e tyre për të mësuar.
Kanë mendim kritik.
Kërkojnë të vlerësohen për aq sa japin.

    *
      Nxënës i varur.



E shohin mësuesin si autoritet.
Mësojnë vetëm atë që u kërkohet.
Veprimet e tyre ndikohen drejtpërdrejtë nga njerëzit e sendet.
Pëlqejnë veprimtaritë ndërpersonale dhe fushën e shkencave sociale e humane.

    *
      Nxënës bashkëpunues.



Pëlqejnëtë punojnë me tëtjerët, kur mësojnë.
Klasën e shohin simjedis social.
Kënaqen në klasë.
Marrin përgjegjësi.
Nuk janë konkurrues.

    *
      Nxënës shmangës.



Nuk janëtë interesuar për tëmësuar, do të pëlqenintë ishin diku tjetërme dikë tjetër.
Nukjanë të motivuar, nukpëlqejnë të mësuarit.
Ndryshojnë sjelljen, kur kalojnë nga një mjedis në një tjetër.

Sigurisht që duke i njohur nxënësit e tij, mësuesi ndikon me autoritetin, besimin që ofron për të përmirësuar natyrën e tyre. Një karakteristikë e menduar, objective e dashamirëse në dëftesë e bën nxënësin – individ dhe prindërit të mendohen dhe të reflektojnë. Në broshurën “Ndihmës mësuesve për njohjen e psikologjisë së nxënësve”, ka rreth 50 modele karakteristikash, që pasqyrojnë veti, cilësi e vlera nga më të larmishmet për nxënësit tanë. Disa karakteristika individuale të nxënësve të shkollës së mesme të përgjithshme jopublike “Iliria” në Elbasan janë dhënë si më poshtë :
Nxënësi SH. K –

Di pse vjen në shkollë dhe di të mësojë.
Administron mire kohën.
Nuk është konkurrues.
Nuk i pëlqejnë konfliktet.
Kërkon të vlerësohet aq sa jep.
Ka marrëdhënie qytetarie me pjesëtarët e grupit.
Nxënsja K. B -

Është e motivuar dhe e përshatur me kërkesat shkollore.
Ka natyrë të qetë. Është tip i mbyllur, por e interesuar dhe e vëmendshme ndaj mësimit.
Ka ndrojtje për t’u pyetur dhe do nxitje për t’u përgjigjur.
Ka besim tek aftësitë e veta intelektuale.
Nxënësja M. M –

Beson se është e aftë të mësojë.
Përdor mirë internetin si burim njohurish.
Është tip i pavarur.
Kërkon të vlerësohet për aq sa jep.
Duhet të vlerësojë më mirë aftësitë e veta intelektuale dhe kohën.
Është kritike.

- Për hartimin e karakteristikave të tilla, sigurisht që mësuesve të shkollës sonë, u është dashur që përveç procesit të mësimdhënies të njohin psikologjinë e nxënësve dhe të ndjekin teknika, që në libër janë dhënë me interes. Formulimi i karakteristikës së nxënësit nga mësuesi është çast i vështirë në punën e tij, sepse ajo mbetet e shkruar dhe lexohet edhe më vonë, ajo nuk duhet të jetë ofenduese, por shpresëdhënëse: atë duhet ta pranojë nxënësi dhe prindi i tij, sepse vetëm atëherë korrigjohet duke u plotësuar në vijimësi dhe kjo i vlen edukimit të individit – nxënës. Ky libër, pra, fiton vlera të mëdha në planin edukativ, jo vetëm se aty jepet metodika e hartimit të karakteristikës së nxënësit, por se zbërthehen shumë komponentë si dhe në anën praktike, për mësuesin përbën me të vërtetë një ndihmës në punën e tij.
Përgatiti : Arben POROÇANI
___________________________





Shkolla dhe personaliteti i nxënësit





“Për të marrë duhet të dish
të japësh” - NAPOLEON –





Nga LUAN MYFTIU



Në shkollë kryesisht formohet edhe personaliteti i nxënësit. Ky hyn këtu fëmijë dhe del prej saj burrë, i pjekur. Tërë kohën shkolla ndeshet me një mozaik të pafund individualite nxënësish. Ndonëse personaliteti i tyre këtu ndryshon dhe rritet, ai përsërí mbetet individual. Tërë kohën shkolla gumëzhin nga një “konstelacion” karakteresh në formím. Kjo nuk i “tremb”mësuesit me përvojë. Ndërsa të rinjtë piqen duke u mahnitur në fillim me shumëllojshmërinë e natyrave, që u janë besuar të edukojnë. Nga kërkesat që ka një shoqërí për personalitetin e njeriut, dallohen, madjé, deri dhe sistemet shoqërore. Kështu, diktaturat formojnë njerëz pa personalitet, (duke ua “kolektivizuar” atë!), demokracia në personalitetin e njeriut mishëron lirínë.
Arritjet e shkollës sot do të zbeheshin, sikur, krahas tyre, të mos kultivohej me ngulm dinjiteti dhe personaliteti i nxënësit. Shkolla është “zdrugu”, ku latohen brezat e rinj, qytetarët e ardhshëm, të cilëve do t’u besohen fatet e vendit.
Asnjë mësues s’e kryen dot si duhet misionin e vet me nxënës pa personalitet.
Po dhe shkolla nuk e përsos nivelin e saj të mësimdhënies pa lartësuar njëkohësisht dinjitetin e nxënësve. Aq më tepër kur nxënësi është vënë sot në qendër të procesit mësimor-edukativ. Është e vështirë t’i bësh të pavarur nxënësit, që kanë mungesa në karakter. Ata nuk janë sot thjesht një “tabelë”, mbi të cilën shkruhen njohurí shkencore, a norma morali. Përkundrazi! Secili prej tyre sot është një subjekt aktiv, të cilit i duhet të punojë me pasion, me gjithë energjítë e tij shpirtërore, fizike e morale, për të përvetësuar me themel lëndët e programit mësimor. Pavarësía e tij, kjo “braktisje” e qëllimshme që i bëhet taní nxënësit në shkollë, synon vetëm aftësímin e tij për t’u bërë i zoti të zgjidhë vetë problemet, që do t’i dalin nesër në jetë.
Demokracia kërkon qytetarë të lirë, të zotë të marrin në dorë edhe punët e shtetit. Nuk bëhet një popull sovran, pa qytetarë me dinjitet e karakter të fortë, të përgatitur për sfidat e reformave të mëdha. Është shkolla ajo që i formon nxënësit si luftëtarë për konsolidimin e shtetit ligjor. Natyrisht, personaliteti i nxënësit nuk formohet në një ditë, as në një vit, a dy. Tërë përmbajtja dhe metodat e realizimit të procesit mësimor-edukativ në shkollë sot synojnë formimin e një nxënësi me personalitet. Kur mësuesi ngulmon në kërkesat shkollore, vetiu ka parasysh formimin e qytetarit të ardhshëm. Ndaj nuk i meson kurrë nxënësit të përtypin gjëra të gatshme. Përkundrazi, u shtron atyre vazhdimisht probleme për zgjidhje. Se, vetëm kështu, duke i bërë ata të aftë të gjejnë vetë rrugët e zgjidhjes për rezultatet e pritshme, mësuesi rrit dhe rolin e vet aktiv në shkollë.
Personaliteti i nxënësit nuk është një iluzion. Ai është konkret, si tërësí e veçorive të natyrës së një individi; si thelbi i atij konstitucioni shpirtëror, që dallon një njerí nga të tjerët. Si të thuash, personaliteti është ajo “godínë” e bukur, që ngrihet mbi themelet e një natyre të caktuar njerëzore, gjithmonë në kushtet e lirísë. Është e rrallë ekzistenca e një personaliteti të vërtetë në mungesë liríe. Sepse liría është vetë kuptimi i jetës. Një i ditur ka thënë: “Jeta s’vlen, kur mungon liría!”. Nuk ka dy fëmijë me personalitet të njëjtë, edhe pse mund të kenë gjëra të përbashkëta. Edhe kur shëmbëllejnë në prirjen e tyre drejt së mirës, drejt njerëzores e fisnikes; edhe kur ngjasojnë në forcë vullneti, qëndrueshmëríe, durími, tolerance, korrektësíe, karakteri etj, ata përsërí mbeten individualë. Në fund të fundit, shoqërisë i duhen doemos qytetarë me personalitet. Qytetarë të edukuar, me kulturë dhe me personalitet. Se, nuk e lartëson e as e zbukuron veten dhe shoqërínë një njerí i arsimuar por dembel. “Dembeli, - ka thënë Mikelanxhelo, - është një i vdekur, që nuk mund ta varrosim”.
Nuk na bën t’i afrohemi Europës si një kameleon zemërzí, që di të fshehë bukur ndjenjat e tij të egra. “Urrejtja e fshehur, - ka thënë Seneka, - është më e keqe se ajo që shfaqet”. Njeriu në demokrací duhet të jetë vetvetja!
Demokracía kërkon njerëz me shpirt të pastër, të çiltër, të sinqertë, me individualitet të spikatur. Tek individualja demokracía sheh lulëzimin e madhështísë së natyrës njerëzore. S’ka gjë më të dëmshme se “unifikími” i personaliteteve. Metodat e reja të mësimdhënies sot e ngërthejnë në brendínë e tyre rritjen, fuqizímin e përsosjen e personalitetit të nxënësit. Ato e shohin atë në lëvizje, gjithmonë në lëvizje, drejt përkryerjes. Këtu ato qëndrojnë shumë më lart nga konceptimet pedante të personalitetit prej shoqërive të mbyllura. Mungesa e lirísë i “nguros” ndryshimet e natyrës njerëzore. Nuk ka gjë më të thjeshtë, sesa të ndrydhësh natyrën e një nxënësi; ta deformosh, ta gjymtosh, apo ta “shtypësh” atë. Ka prindër, madjé (për fat të keq!) edhe ndonjë mësues, të cilët u shmangen nismave të guximshme të “fëmijëve” të tyre. Këta janë mësuar të idealizojnë një tip nxënësi të “urtë”, të “bindur” (nënkupto: të nënshtruar!). Dhe janë krejt të kënaqur, kur ky nuk bën asgjë pa pyetur këta prindër e mësues. Kurse M.Gandi ka thënë të kundërtën: “Prindërit e mençur i lejojnë fëmijët e tyre të gabojnë”.
Shkolla lypset, jo vetëm ta ruajë, por dhe ta kultivojë me insistím e vazhdimisht frymën e pavarësísë së nxënësit. Vetëm në pavarësí mund të krijohet personaliteti, që aspirojmë. Me dhunë, diktat e me mungesë liríe “edukohen” skllevërit. Nuk përparon shoqëria demokratíke me personalitete të cunguara. Nuk pajtohet fryma e “rreshtit” me lirínë ! Por…nuk duhet harruar kurrë që disiplina e vërtetë, në një kuptim, është lirí, prodhon lirí! Dhe është lirí, sa herë ajo krijon hapësíra kënaqësish të larta intelektuale, duke e shmangur nxënësin nga “tiranía” e tundimeve meskíne, të cilat e varfërojnë përmbajtjen e jetës së njeriut.
Ne përgatitemi të hyjmë në Europë. Dhe kjo nis nga ndryshimi i vetes. Nuk duhet të kemi frikë, kur fëmijët kërkojnë të jetojnë ndryshe nga ne. Kjo kërkesë e tyre nuk është egoizëm. Jo! Përkundrazí! Ja ç’thotë një mendimtar: “Egoizmi nuk qëndron në të jetuarit e njeriut si të dojë, por në pretendimin që të tjerët të jetojnë si do ai”. Askush nuk duhet të stepet përpara një tolerance fisnike ndaj nxënësve. Vetëm mësues mediokër, a të paaftë, që nuk kanë synime të qarta në punën e tyre, tentojnë të mbajnë të ndrydhur nxënësit. Dhe, mjerisht, këta janë të kënaqur, kur “klasa” me nxënësit e tyre nuk “pipëtin” dhe nxënësit druhen të marrin frymë thellë. Janë këta mësues që ankohen se fëmijët taní janë prishur, janë shthurur, etj. Kurse janë këta mësues që shkatërrojnë te nxënësit, bilé, cilësí, që natyra ua ka dhuruar me bujarí. Dëmtojnë, padashur, përgatitjen e qytetarëve të lirë për një shoqërí të lirë. Por… kujdes! Askush nuk thotë që mësuesi të tregohet “zemërgjerë” e “tolerant”, t’u nënshtrohet tekave, dëshirave të shfrenuara të fëmijëve të përkëdhelur. Jo! Kurrsesí jo! Përkundrazi! Kombiními harmonik i disciplines me lirínë, respektimi i të drejtës së individit për pavarësí, me kërkesat rigoroze për punë serioze e rendiment të lartë në mësime, përbëjnë elementët bazë të artit të të nxënit dhe të edukimit të brezave të rinj. Mësuesi duhet të jetë më i kënaqur nga një përpjekje e dështuar nxënësish të pavarur, sesa nga suksesi i sigurt i një pune të tyre, diktuar vetëm prej tij (prej mësuesit!).
Meqë shoqëria jonë ka dalë nga një sistem, ku idealizohej sidomos shpirti kryengritës, le ta mbyllim këtë shkrim me thënien e një njeriu të madh: “Tipari dallues i një personaliteti të përkryer nuk është rebelími, por shpirti paqësor.”!…

Marr nga Gazeta “Mësuesi”

_________________________________